Skip to content

Sulmet e Iranit, Shqipëria me deklaratë urgjente

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar pas incidentit të fundit ku një raketë balistike e lëshuar nga Irani u drejtua drejt hapësirës ajrore të Turqisë dhe u neutralizua nga sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s.

Në një reagim zyrtar të publikuar në rrjetin social X, ministria shqiptare thekson se Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me Turqinë, duke e cilësuar atë si një aleat të rëndësishëm në NATO dhe partner strategjik.

“Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me Turqinë, aleatin tonë në NATO dhe partner strategjik. I mirëpresim reagimet e menjëhershme të kapaciteteve të mbrojtjes ajrore dhe kundërraketore të NATO-s, të cilat neutralizuan raketën balistike dhe mbrojtën popullsinë civile, si dhe territorin e Aleancës”, thuhet në reagim.

Sipas Ministrisë së Jashtme, sulme të tilla konsiderohen veprime të papërgjegjshme që rrezikojnë të destabilizojnë edhe më shumë situatën në rajon.

“Sylmet e papërgjegjshme të Iranit rrezikojnë të destabilizojnë më tej rajonin. Një mbrojtje e fortë dhe aftësitë parandaluese mbeten thelbësore për sigurinë kolektive të NATO-s”, thekson ministria.

Reagimi vjen në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar ndjeshëm pas përplasjes ushtarake mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, ndërsa incidenti i fundit ka ngritur shqetësime për përhapjen e konfliktit edhe në hapësirën e NATO-s.

 

Published inLajm