Skip to content

Historia si në filma në Lezhë, 17-vjeçari i rritur jetim

Një histori e rëndë, e cila disa vite më parë tronditi opinionin publik në Shqipëri, vjen nga Lezha dhe ka në qendër Florian Përvathin, një i ri që në moshën 17-vjeçare ngriti armën për të marrë gjakun e babait të tij.

Drama për familjen Përvathi nisi në vitin 2009, kur Floriani ishte vetëm 4 vjeç. Babai i tij u vra si pasojë e një konflikti për pronën. Ngjarja tragjike u pasua menjëherë nga një tjetër goditje për familjen, pasi e ëma e djalit, e tronditur nga vrasja, piu fostoksinë dhe ndërroi jetë po atë ditë, duke e lënë të voglin jetim.

I rritur në një ambient ku gjakmarrja shihej si një detyrim për të rikthyer nderin e familjes, adoleshenti përfundoi duke kryer një akt ekstrem për të marrë hak për vrasjen e të atit.

Për këtë krim, Gjykata e Lezhës e dënoi me 12 vite burg. Megjithatë, për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë 8 vite dënim.

Avokati i tij, pedagogu Andi Duraj, e cilëson këtë rast si një shembull tragjik të ndikimit që mund të ketë mentaliteti i gjakmarrjes tek të rinjtë.

Sipas tij, në këtë histori ka dy viktima: personi që humbi jetën dhe vetë autori, i cili ishte një i mitur i rritur pa mbështetje psikologjike dhe i ndikuar nga një ambient i mbushur me tension dhe ide të vjetra kanunore.

Duraj thekson se mungesa e trajtimit psikologjik dhe presioni i vazhdueshëm social kanë ndikuar në vendimin fatal të të riut.

Megjithatë, mes kësaj historie të rëndë ka ardhur edhe një zhvillim shprese. Pas ndërmjetësimit të misionarëve të pajtimit të gjaqeve dhe takimeve të shumta mes familjeve, është arritur pajtimi dhe falja e gjakut.

Përfaqësuesit e misionit të pajtimit në veri të vendit theksojnë se falja e gjakut është një nga aktet më të vështira, por edhe më të mëdha të trimërisë dhe njerëzimit.

Sipas tyre, falja e konflikteve të vjetra është rruga e vetme për të ndalur zinxhirin e hakmarrjeve që shpesh rëndon mbi breza të tërë familjesh.

Ky rast, i cili filloi si një tragjedi familjare dhe përfundoi me një akt pajtimi, shihet sot si një shembull për të luftuar fenomenin e gjakmarrjes që ende prek disa zona të vendit.

Published inLajm