Një bashkëbisedim i tensionuar mes kryeministrit Edi Rama dhe një banori të Tragjasit ka shkaktuar reagime, pas publikimit të një videoje ku dëgjohet debati mes tyre lidhur me investimet për kanalizimet në zonë.
Debati nisi kur qytetari ngriti shqetësimin për projektin e kanalizimeve, duke pretenduar se tubacionet janë realizuar prej 15 vitesh dhe duke vënë në dyshim nevojën për ndërhyrje të re.
“Kanalizimet që ju do të bëni Tragjasit, për çfarë funksioni do na interesojë fshati?”, – pyeti qytetari.
Kryeministri Rama reagoi duke kundërshtuar pretendimin se investimi ishte kryer më herët, ndërsa theksoi se, sipas tij, në zonë nuk është bërë asgjë.
“More zotëri, atje nuk është bërë asgjë. Dëgjon çfarë po të them unë ty? Nuk është bërë asgjë”, – u shpreh Rama.
Biseda mori tone të ashpra, ku kryeministri përdori shprehje të forta ndaj bashkëbiseduesit, duke thënë: “Ju jeni të çmendur, po unë jam gjysmë të paktën… Jam gjysmë i çmendur, ju jeni të çmendur komplet.”
Banori reagoi duke e akuzuar kryeministrin për ofendim ndaj komunitetit të Tragjasit, ndërsa Rama sqaroi se komentet i drejtoheshin bashkëbiseduesit dhe jo gjithë fshatit.
“Mos më bërtit mua se nuk i thashë idiot fshatit të Tragjasit, po flas me ty dhe i thashë dhe vetes time gjysmë i çmendur”, – tha ai gjatë debatit.
Bashkëbisedimi përfundoi me qytetarin që theksoi historinë dhe qëndresën e Tragjasit, duke deklaruar: “Tragjasin nuk e ka shuar dot gjermani dhe nuk e shuan dot ti, zoti kryeministër.”
Ngjarja ka rikthyer diskutimin mbi gjuhën e përdorur në komunikimin publik dhe raportin mes qeverisë dhe qytetarëve në takime të drejtpërdrejta.
