Tubimi i sotëm i opozitës ka sjellë ngritjen e masave mbrojtëse në Kryeministri, si rrjedhojë e sulmeve të fundit me molotovë.
Këto sulme kanë sjell një përplasje të ashpër midis protestuesve demokrat dhe efektivëve të policisë, të cilët po ruanin mbarëvajtjen e protestës së shkuar të PD-së në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Pamjet e siguruara për Ora News shfaqin blindimin e godinës teksa pritet që pasditen e sotme të nis tubimi i opozitës në orën 18:00.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu sqaroi deklaratën e Policisë në lidhje me protestën e opozitës që do të zhvillohet ditën e sotme. Në një konferencë me gazetarët, ajo tha se Policia nuk ka miratuar lejen e Partisë Demokratike për të zhvilluar tubimin.
Megjithatë Albana Koçiu u shpreh se pavarësisht nëse protesta është me leje apo pa leje, kush kryen vepra penale do të dënohet sipas ligjit.
Ajo tha se kushdo ka të drejtë të protestojë në mënyrë paqësore, ndaj policia do bëjë detyrën për të ruajtur rendin.
“Ne e kemi thënë që protestat janë një e drejtë kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore. Sa i përket faktit që policia nuk e miratuar zhvillimin e protestës së sotme, kjo është një procedurë që është e lidhur me dy protestat e kaluara. Nga ana tjetër e drejta për të protestuar është e kujdo dhe policia ka për detyrë te ruaje rendin.
Si të jetë një protestë me leje apo pa leje kushdo që kryen një veprim që dënohet penalisht janë organet e tjera që bëjnë klasifikimin e veprës. Kjo nuk ndikon në faktin që kemi një protestë me leje apo pa leje”, tha ministrja.
Rikujtojmë se pas përfundimit të fjalimit të kryedemokratit Sali Berisha, protestuesit kanë nisur menjëherë goditjet më koktejl molotovësh kundrejt zyrave të Kryeministrisë dhe uniformave blu.
Gjë që ka sjellë një kundërpërgjigje të bluve, me autobote uji për të larguar tubuesit nga sulmet e mëtejshme.
