Pak ditë më parë, në qytetin e Rrëshenit, një automjet është përfshirë nga flakët, ngjarje për të cilën Policia e Lezhës njoftoi fillimisht se dyshohej të ishte shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Më pas u bë e ditur se automjeti i djegur ishte në pronësi të bashkëshortes së ish-drejtorit të Burgut të Reçit në Shkodër, Andrea Përbasha.
Por kjo version zyrtar i policisë është kundërshtuar publikisht nga vetë Përbasha. Gjatë një lidhjeje live në emisionin “Breaking me Dafinën” në Top News, ish-drejtori i burgut deklaroi se ka në dispozicion pamje filmike nga kamerat e sigurisë, të cilat, sipas tij, provojnë qartë se bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme dhe jo për një defekt teknik.
Përbasha shpjegoi se në pamjet e siguruara shihet qartë momenti kur një person i dyshuar i afrohet automjetit, hedh benzinë mbi të dhe më pas largohet nga vendngjarja në drejtim të një kanali pranë zonës. Ai theksoi se automjeti kishte rreth 48 orë pa u ndezur, çka sipas tij përjashton mundësinë e një shkëndije elektrike si shkak i zjarrit.
“Unë i kam të gjitha pamjet e kamerave. Dallohet qartë personi që i vë flakën makinës dhe largohet. Policia ka qenë në dijeni të këtyre videove, madje i kemi parë bashkë edhe nëpër kamera të zonës.
Përse në njoftim u tha se ishte shkëndijë elektrike, këtë nuk e di. Në video shihet qartë se hidhet një shishe me benzinë dhe personi largohet, madje e merr shishen me vete”, u shpreh Përbasha.
Ai shtoi se dyshon se ngjarja mund të ketë lidhje me motive hakmarrjeje, por theksoi se, sipas tij, kjo nuk lidhet me detyrën që ka ushtruar më parë si drejtor i Burgut të Reçit. Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes pritet të vijojnë, ndërsa pritet edhe një reagim zyrtar i policisë lidhur me pretendimet e ngritura publikisht.
Unë mendoj që kjo ngjarje ka ndodhur nga njerëz shumë të vegjël, mendoj që janë njerëz të vegjël në mendje dhe mendoj që kjo është një hakmarrje shumë e vogël për të më bërë dëm në ekonomi, nuk e çoj më larg intuitën time. Shumë gjëra nuk mund të përjashtohen, sepse nuk është e thjeshtë që të kesh punuar te burgu i Reçit, shqiptarë jemi, mund të ketë edhe hatërmbetje nga ana e burgut, por nuk e çoj mendjen atje. Unë mendoj që policia e shtetit është afër, por më afër jam unë, sepse po e ndjek çështjen”, u shpreh Përbasha.
Ai shtoi se dhe vetë fëmijët e tij e kishin parë këtë skenë të cilën nuk e kishin përjetuar aspak mirë, ndërsa i bëri thirrje policisë për identifikimin e autorit, i cili sipas tij u plagos në momentin e zjarrvenie.
“Që të dilte tamam në pah, policia e shtetit duhet të konsultohet me të gjithë spitalet e Shqipërisë, sepse personi është plagosur, ne e kemi gjetur edhe shishen. Unë e shumëzoj me zero këtë veprim që ka ndodhur. Fëmijët e mi e panë gjithë skenën dhe ishte diçka e vështirë. Arsyeja pse jam i papunë tani e dinë vetëm dy njerëz”, tha Përbasha.
