Për afro tre dekada, shqiptarët ishin krahu kryesor i punës që mbajti në këmbë bujqësinë dhe sektorin e ndërtimit në Greqi. Të përballur me paragjykime, diskriminim dhe paga të ulëta, mijëra emigrantë shqiptarë punuan në fushat dhe pemishtet greke, duke u kthyer në një shtyllë të pazëvendësueshme të ekonomisë rurale të vendit fqinj. Por sot situata ka ndryshuar rrënjësisht: shqiptarët po largohen drejt vendeve me paga më të larta, po kthehen në atdhe ose po krijojnë bizneset e tyre bujqësore, ndërsa fermerët grekë po përballen me një krizë të rëndë të fuqisë punëtore.
Sipas medias greke “Protothema”, mungesa e punëtorëve shqiptarë ka krijuar probleme serioze në vjeljen e prodhimeve bujqësore, deri në atë pikë sa një pjesë e frutave dhe produkteve të tjera rrezikojnë të kalben nëpër pemë, për shkak se nuk ka njerëz për t’i mbledhur.
Përpjekjet e Athinës për të zëvendësuar shqiptarët me punëtorë nga Egjipti, India, Pakistani dhe Bangladeshi nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme. Vetë fermerët grekë pranojnë se punëtorët shqiptarë kanë përvojë shumë më të madhe, njohin mënyrën e organizimit të punës, flasin gjuhën greke dhe përshtaten më lehtë me kërkesat e sektorit bujqësor.
Sipas tyre, shqiptarët janë të gatshëm të punojnë deri në përfundimin e detyrës, edhe gjatë natës kur është e nevojshme, ndërsa punëtorët e ardhur nga vendet aziatike kanë kërkesa të tjera për pushime dhe orare pune. Kjo ka bërë që fermerët të pranojnë se zëvendësimi i fuqisë punëtore shqiptare është shumë më i vështirë nga sa kishin parashikuar.
Një tjetër zhvillim që po shqetëson fermerët grekë është largimi i shqiptarëve drejt tregjeve më fitimprurëse të Evropës. Së bashku me punëtorë nga Bullgaria dhe Rumania, shumë prej tyre po udhëtojnë drejt Gjermanisë, ku pagat ditore mund të arrijnë deri në 100 euro, dukshëm më shumë se ato që ofron bujqësia greke.
Një pjesë tjetër po rikthehet në Shqipëri, ku rritja e pagave dhe mundësitë për të punuar në vendin e tyre po e bëjnë emigracionin më pak tërheqës. Madje, sipas Dimitris Manokou, kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve Bujqësorë të Imathias, shumë shqiptarë që kanë jetuar prej rreth 30 vitesh në Greqi kanë blerë tashmë pemishtet e tyre, me sipërfaqe nga 2 deri në 4 hektarë. Ata që dikur punonin si mëditës, sot janë kthyer në pronarë tokash dhe punëdhënës, duke paguar vetë punëtorë për të kultivuar dhe mbledhur prodhimet.
Përballë mungesës së fuqisë punëtore, fermerët grekë janë detyruar të rrisin ndjeshëm pagat. Nga 30-40 euro në ditë që paguhej një punëtor në vitin 2021, sot një punëtor me përvojë merr nga 80 deri në 90 euro, ndërsa në shumë raste fermerët mbulojnë edhe ushqimin, akomodimin dhe transportin.
Por kjo rritje e kostove po e rëndon më tej sektorin bujqësor. Me çmimin e vajit të ullirit që raportohet të jetë rreth 3.20 euro për kilogram, një grup prej katër punëtorësh, me kosto ditore prej 320 eurosh, kërkon të ardhura sa vlera e rreth 100 kilogramëve vaj ulliri, pa përfshirë shpenzimet e tjera të prodhimit.
Për pasojë, fermerët po përballen me vështirësi serioze ekonomike, ndërsa vlerësohet se rreth 10% e prodhimit të ullirit në Greqi mbetet i pavjelë. Mungesa e punëtorëve në bujqësi llogaritet nga 70 mijë deri në mbi 200 mijë persona.
Kështu, pas dekadash gjatë të cilave ekonomia bujqësore greke u mbështet te puna e emigrantëve shqiptarë, largimi i tyre po nxjerr në pah varësinë e madhe të këtij sektori nga krahu i punës që dikur shpesh nuk u vlerësua sa duhej. Shqiptarët që dikur punonin në tokat e të tjerëve, sot po blejnë tokat e tyre, ndërsa fermerët grekë po kërkojnë me urgjencë njerëzit që deri dje i kishin në dispozicion.
