Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor të përshpejtojnë reformat dhe të forcojnë shtetin e së drejtës, duke e cilësuar këtë si një kusht thelbësor për tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.
Gjatë fjalës së saj në ditën e dytë të Konferencës së Investitorëve BE-Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në Tiranë, ambasadorja theksoi se integrimi ekonomik me Bashkimin Evropian nuk mund të mbështetet vetëm te fondet publike, por kërkon institucione funksionale, zbatim të ligjit dhe një klimë të besueshme për investitorët.
Mesazhi i saj vjen si një tjetër thirrje për autoritetet shqiptare që të mos e trajtojnë integrimin evropian vetëm si objektiv politik, por të konkretizojnë reformat që garantojnë siguri juridike dhe konkurrencë të ndershme për biznesin.
“Ballkani Perëndimor luan një rol të rëndësishëm për ekonominë europiane. Rajoni mund të kontribuojë në konkurrueshmërinë e Europës. Ekonomitë tona po integrohen gjithnjë e më shumë. Duhet të forcojmë lidhjet ekonomike dhe të nxisim zhvillimin e bizneseve rajonale. Duhet të krijojmë më shumë mundësi për investime në rajon. Synojmë forcimin e bizneseve lokale dhe përshpejtimin e anëtarësimit në BE”, deklaroi Moreira de Sousa.
Ambasadorja solli si shembull përfitimet ekonomike të Polonisë pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se efektet pozitive të integrimit nisin edhe përpara anëtarësimit të plotë.
“Anëtarësimi në BE krijon tregje konkurruese dhe rritje të qëndrueshme ekonomike. Ekonomia e Polonisë u trefishua pas anëtarësimit në BE. Përfitimet e integrimit fillojnë përpara anëtarësimit në BE. Synojmë afrimin e Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët europian”, u shpreh ajo.
Por pjesa më e fortë e mesazhit të ambasadores ishte paralajmërimi se paratë publike nuk mjaftojnë për të transformuar ekonominë e rajonit, nëse qeveritë nuk garantojnë një mjedis të sigurt për investimet private.
“Fondet publike nuk mjaftojnë për transformimin ekonomik të rajonit. Qeveritë duhet të përshpejtojnë reformat dhe të forcojnë shtetin e së drejtës. Investitorët kërkojnë institucione funksionale dhe zbatimin e ligjit. Synojmë më shumë investime, konkurrueshmëri dhe rritje ekonomike”, theksoi ambasadorja e BE-së.
Deklaratat e Moreira de Sousa vendosin në fokus përgjegjësinë e qeverive të rajonit, përfshirë atë shqiptare, për të krijuar kushtet që investitorët të kenë besim te institucionet, te zbatimi i ligjit dhe te siguria e kapitalit të tyre.
Pa reforma konkrete dhe institucione që funksionojnë, objektivi i afrimit me tregun europian rrezikon të mbetet më shumë një premtim politik sesa një realitet ekonomik.
