Transporti publik në të gjithë Shqipërinë nuk ka ofruar shërbim gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, 26 nëntor, në shenjë proteste kundër rritjes së propozuar të TVSH-së nga 20% në 21%.
Shoqatat e transportit urban dhe interurban kanë vendosur që autobusët të mos dalin në qarkullim nga ora 05:00 deri në orën 08:00, duke kufizuar përkohësisht shërbimin në të gjitha qytetet e vendit.

Fotoreporterët e Agjencisë Telegrafike Shqiptare kanë sjellë pamje nga stacionët e autobuzëve urban, ku qytetarë të pa informuar mbi grevën janë parë duke pritur autobuzin urban.

Vendimi lidhet me kundërshtimin e operatorëve ndaj Paketës Fiskale për vitin 2027, e cila parashikon rritjen e normës standarde të TVSH-së. Sipas përfaqësuesve të sektorit, kjo masë do të sjellë kosto shtesë për kompanitë dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin e biletave për qytetarët.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Publik, Dashnor Memaj, ka deklaruar se operatorët nuk janë dakord me transferimin e kostove shtesë te qytetarët dhe kërkojnë uljen e TVSH-së nga 20% në 6%.

Pezullimi i shërbimit përkon me ditën kur Kuvendi i Shqipërisë pritet të shqyrtojë dhe votojë Paketën Fiskale dhe Projektbuxhetin e Shtetit për vitin 2027.

