Skip to content

Kush donte ta përfshinte Shqipërinë në S*lmin me dronë në Libi?? Vjen reagimi urgjent nga Zelensky, ja çfarë ka ndodhur

Një raportim ndërkombëtar që pretendon se dronët detarë që sulmuan një anije luftarake ruse në portin e Bengazit u nisën nga Shqipëria, ka sjellë reagimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare. Tirana i hedh poshtë kategorikisht akuzat…

Ukraina ka marrë përsipër autorinë e sulmit me dronë ndaj anijes ruse në Libi, për të cilin fillimisht u raportua se ishte iniciuar nga Shqipëria.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar se sulmi me dronë është kryer nga forcat ukrainase. Në një postim në rrjetin social X, ai ka zbuluar detaje nga operacioni, duke bërë të ditur se në të u përdorën shtatë dronë detarë të prodhuar në Ukrainë.

Sipas Zelenskyt, objektivat e përcaktuara u arritën, ndërsa gjatë sulmit u fundos një prej anijeve më të reja të flotës ruse, e cila ishte vënë në shërbim në vitin 2023. Ndërkohë, imazhet satelitore të publikuara pas sulmit kanë treguar dëme të rënda në korvetën “Merkury”, e cila rezulton e kthyer përmbys dhe pjesërisht e fundosur.

“Objektivat që kishim përcaktuar u arritën”, shkroi presidenti ukrainas, duke falënderuar Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës dhe forcat e tjera të mbrojtjes që morën pjesë në operacion.

Presidenti ukrainas pretendon gjithashtu se bashkë me korvetën u shkatërrua edhe një helikopter luftarak i tipit Ka-27, ndërsa u godit edhe anija transportuese “MV Angara”, që sipas tij përdorej nga Rusia për transportin e armëve.

“Gjithçka ndodhi në brigjet e Libisë. Luftëtarët tanë përdorën shtatë dronë detarë të prodhuar në Ukrainë”, shkroi Zelensky ndërsa publikon pamje.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë rrëzoi pretendimet se sulmi me dron e ka origjinën nga Shqipëria. Ministria sqaron se Shqipëria nuk është përfshirë në asnjë incident të tille dhe se shteti shqiptar nuk është vënë në dispozicion të asnjë sulmi të tillë.

Sulmi ndaj një anijeje luftarake ruse në portin e Bengazit, në Libi, më 22 nëntor, ka përfshirë papritur edhe Shqipërinë në një çështje me ndjeshmëri të lartë ushtarake dhe diplomatike. Portali ndërkombëtar Clash Report pretendon se dronët detarë që goditën korvetën ruse “Merkury” u nisën nga territori shqiptar, një version që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e ka hedhur poshtë kategorikisht.

Ngjarja ndodhi në portin e Bengazit, në lindje të Libisë, ku një shpërthim goditi anijen ruse të ankoruar pranë kalatës. Autoritetet lokale ngritën dyshimet për një sulm me dronë detarë, ndërsa pamjet satelitore treguan dëmtime të rënda të korvetës.

LEXO EDHE:  Gjendet i pajetë në banesë 58-vjeçari në Greqi, gjashtë qentë e kishin…

Sipas raportimeve ndërkombëtare, anija “Merkury”, e klasës Steregushchiy, kishte hyrë në shërbim të marinës ruse në vitin 2023. Ajo është një mjet luftarak i pajisur për operacione detare, mbrojtje ajrore dhe goditje ndaj objektivave të ndryshëm.

Autoritetet e Bengazit deklaruan se anija ndodhej në port për furnizime, në kuadër të bashkëpunimit ushtarak mes Rusisë dhe forcave që kontrollojnë Libinë lindore.

Por ndërsa hetimet për sulmin sapo kishin nisur, në mediat ndërkombëtare dolën dy versione të ndryshme për vendin nga ku ishin nisur dronët.

Clash Report përmend Shqipërinë, por pa paraqitur prova

Portali Clash Report, në një artikull të publikuar më 22 nëntor, pretendon se dronët detarë që sulmuan korvetën ruse nuk u nisën nga Libia perëndimore, siç kishin raportuar burime të tjera, por nga Shqipëria.

Sipas portalit, një burim anonim ka deklaruar se autoritetet e Libisë lindore kishin identifikuar origjinën e dronëve dhe se raportimet që e lidhnin sulmin me bazat ukrainase në Libi nuk pasqyronin vendin real të nisjes së tyre.

Megjithatë, në artikull nuk publikohet asnjë dokument, e dhënë radarësh, koordinatë apo informacion mbi ndonjë port ose bazë detare shqiptare që mund të jetë përdorur për operacionin.

Kush e përfshiu Shqipërinë në sulmin ndaj flotës ruse?

Ndërkohë, agjencia amerikane Associated Press, duke iu referuar dy zyrtarëve ushtarakë libianë, raportoi një version tjetër. Sipas këtyre burimeve, gjashtë dronë detarë ukrainas u nisën nga një bazë në Libinë perëndimore. Katër prej tyre u interceptuan, ndërsa dy arritën të godisnin anijen ruse.

Pista ukrainase lidhet me praninë e raportuar të personelit ushtarak ukrainas në Libi dhe me operacionet kundër objektivave ruse jashtë Detit të Zi. Associated Press ka raportuar më parë, duke cituar zyrtarë libianë, për praninë e specialistëve ukrainas të dronëve në bazën e Misratës dhe në zona të tjera të Libisë perëndimore.

Ministria e Jashtme mohon kategorikisht përdorimin e territorit shqiptar

Pas publikimit të raportimeve, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme reagoi zyrtarisht, duke kundërshtuar çdo pretendim për përfshirjen e Shqipërisë.

“Raportimet në fjalë janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë faktet”, deklaroi Ministria.

Më tej, institucioni theksoi se “Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë”.

Learn a Language

Diplomacia shqiptare kërkoi gjithashtu korrigjimin e informacioneve që i cilëson të pavërteta.

LEXO EDHE:  Moti i keq shkakton probleme dhe në kryeqytet, era e fortë rrëzon pemën në mes të rrugës

“I hedhim poshtë kategorikisht këto pretendime, të cilat janë paraqitur pa prova të verifikueshme. U bëjmë thirrje atyre që janë përgjegjës për përhapjen e tyre që të korrigjojnë informacionin, si dhe të tregojnë saktësi, kujdes të duhur dhe përgjegjshmëri kur raportojnë për çështje të një ndjeshmërie të tillë”, thuhet në reagim.

Deklarata e Ministrisë ka një rëndësi të veçantë, pasi nuk mohon vetëm nisjen fizike të dronëve nga Shqipëria, por edhe çdo mundësi që territori shqiptar të jetë përdorur për të mbështetur apo lehtësuar operacionin.

Në këtë histori ka edhe një element tjetër. Sulmi ndodhi në Bengazi, një qytet që kontrollohet nga forcat e gjeneralit Khalifa Haftar, i cili ka marrëdhënie të ngushta ushtarake me Rusinë. Moska e ka përdorur praninë e saj në Libi për të zgjeruar ndikimin në Afrikën Veriore dhe Mesdhe.

Një goditje ndaj një anijeje luftarake ruse në këtë port prek drejtpërdrejt interesat ushtarake të Moskës. Për këtë arsye, përcaktimi i autorëve dhe i territorit nga ku u organizua sulmi ka rëndësi edhe për marrëdhëniet mes Rusisë, Ukrainës dhe vendeve të tjera që përmenden në raportime.

Autoritetet e Libisë lindore kanë njoftuar një hetim të përbashkët me palën ruse, ndërsa Kombet e Bashkuara kanë kërkuar hetim të pavarur për incidentet me dronë pranë Bengazit.

Deri tani, çështja mbetet te dy versione që kundërshtojnë njëri-tjetrin: burimet ushtarake libiane të cituara nga Associated Press flasin për nisjen e dronëve nga Libia perëndimore, ndërsa burimi anonim i Clash Report përmend Shqipërinë.

Tirana zyrtare e ka mohuar kategorikisht versionin e dytë.

Reagimi i plotë

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka marrë dijeni për raportimet sipas të cilave sulmi me dron detar kundër një korvete ruse e ka pasur origjinën nga territori shqiptar.

Raportimet në fjalë janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë faktet.

Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë.

I hedhim poshtë kategorikisht këto pretendime, të cilat janë paraqitur pa prova të verifikueshme. U bëjmë thirrje atyre që janë përgjegjës për përhapjen e tyre që të korrigjojnë informacionin, si dhe të tregojnë saktësi, kujdes të duhur dhe përgjegjshmëri kur raportojnë për çështje të një ndjeshmërie të tillë. 

Pamjet satelitore: çfarë mund të vërtetohet?

LEXO EDHE:  Ç’po ndodh me monedhat e huaja? Ja me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

Ndryshe nga pretendimet për autorët e sulmit, dëmtimi i anijes mbështetet në prova vizuale.

Pamjet satelitore të kompanisë Vantor, të publikuara nga mediat ndërkombëtare, tregojnë korvetën ruse të përmbysur në zonën portuale të Bengazit. Një pjesë e madhe e trupit të anijes ndodhet nën ujë, ndërsa pjesa e përparme mbetet e dukshme.

Fotografitë tregojnë gjithashtu tym dhe materiale të shpërndara pranë kalatës.

BBC Verify ka analizuar pamje filmike të shpërndara në rrjetet sociale dhe ka identifikuar vendndodhjen e anijes së përfshirë nga flakët. Imazhet e Planet Labs tregojnë zjarrin në port në orën 05:47 GMT të 22 nëntorit.

Këto elemente konfirmojnë se ndodhi një incident i rëndë në një anije të ankoruar në Bengazi dhe se anija pësoi dëmtime të mëdha.

Megjithatë, fotografitë satelitore nuk provojnë se kush e kreu sulmin, nga cili vend u nisën dronët apo kush drejtoi operacionin.

Edhe gjendja përfundimtare e korvetës kërkon një vlerësim teknik. Pamjet tregojnë se ajo është përmbysur dhe është fundosur në masë të madhe, por nuk përcaktojnë nëse Rusia mund ta rikuperojë ose riparojë atë.

Çfarë kërkon OKB-ja?

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Libi, UNSMIL, shprehu shqetësim serioz për sulmet dhe kërkoi një hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe transparent.

Organizata paralajmëroi kundër shndërrimit të Libisë në një territor ku zhvillohen konfliktet e fuqive të huaja.

Thirrja e OKB-së ka rëndësi sepse hetimi nuk duhet të përcaktojë vetëm se kush i drejtoi dronët.

Ai duhet të sqarojë gjithashtu prej nga u nisën mjetet, nëse u përdor territori libian për përgatitjen e sulmit, çfarë statusi kishin anijet e goditura dhe nëse operacionet rrezikuan popullsinë civile apo lundrimin tregtar.

Një hetim i pavarur do të duhej të shqyrtonte mbetjet e dronëve, regjistrimet e radarëve, komunikimet portuale, dokumentacionin e anijeve dhe dëshmitë e personelit.

Deri tani, autoritetet nuk kanë publikuar një raport të plotë teknik që t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve. /

Published inLAJMI