Skip to content

Rama hap thesin e parave në prag të zgjedhjeve! 319 milionë lekë për rindërtimin në 3 bashki – ja kush përfiton!

Qeveria ka vendosur të akordojë 319.3 milionë lekë nga Fondi i Rindërtimit për financimin e punimeve në banesat individuale të dëmtuara nga tërmeti në bashkitë Vorë, Krujë dhe Shijak. Vendimi vjen rreth 6 muaj përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, ndërsa procesi i rindërtimit vijon të kërkojë fonde publike, shtatë vite pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, financimi do të përdoret për riforcimin e banesave individuale që kanë pësuar dëmtime të rënda dhe janë klasifikuar me shkallë dëmtimi DS4, por që, bazuar në aktet e ekspertizës së thelluar, nuk kanë nevojë të rindërtohen nga e para.

LEXO EDHE:  Rama kritikon Veliajn dhe avokatin e tij

Pjesën më të madhe të parave do ta marrë Bashkia Vorë, së cilës qeveria do t’i transferojë rreth 222 milionë lekë pa TVSH, ose 69.5% të fondit të përgjithshëm.

Bashkia Krujë do të përfitojë rreth 77 milionë lekë, që përfaqësojnë 24.1% të financimit, ndërsa Bashkisë Shijak do t’i kalojnë 20.4 milionë lekë, ose 6.4% e totalit.

Shpërndarja e këtyre fondeve vjen në një periudhë parazgjedhore, kur bashkitë përgatiten për zgjedhjet e ardhshme vendore.

LEXO EDHE:  Asgjë nuk ka mbaruar! Covid-19 rikthehet me një variant të ri, ja simptomat që duhet të keni parasysh

Financimi parashikon ndërhyrje në banesat që mund të rehabilitohen përmes punimeve të riforcimit strukturor, pa qenë e nevojshme shembja dhe rindërtimi i plotë i tyre.

Sipas vendimit, qeveria do ta përballojë efektin financiar nga shpenzimet e Fondit të Rindërtimit, të miratuara për vitin 2026. Ministria e Financave do t’ua transferojë paratë tri bashkive në formën e transfertës së pakushtëzuar.

Megjithëse qeveria ka përcaktuar shumën e financimit dhe ndarjen e saj sipas bashkive, vendimi nuk specifikon numrin e banesave që do të përfitojnë nga ndërhyrjet, afatet e nisjes së punimeve apo kohën e përfundimit të tyre.

LEXO EDHE:  Njihuni me 4 Shenjat e horoskopit me fatin me te madh

Kjo mungesë të dhënash nuk lejon të përcaktohet se sa familje do të përfitojnë nga fondi prej 319.3 milionë lekësh dhe nëse punimet do të përfundojnë përpara zgjedhjeve vendore.

Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe bashkitë Vorë, Krujë dhe Shijak.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

Published inLAJMI