Konspiracionisti Alfred Cako ka bërë një sërë parashikimesh duke pretenduar se bota mund të përballet me një luftë bërthamore deri në vitin 2030.
I ftuar në emisionin “Të Pashoq”, në kanalin YouTube të Pamflet-it, Cako komentoi thirrjet e autoriteteve evropiane për përgatitjen e paketave të emergjencës 72-orëshe, duke pretenduar se qytetarët duhet të marrin masa shumë më afatgjata.
“Unë u them njerëzve mos siguroni paketë 72-orëshe, po siguroni paketë 6-mujore”, deklaroi Cako.
Sipas tij, konfliktet ndërkombëtare mund të zgjerohen ndjeshëm, duke përfshirë fuqitë më të mëdha botërore dhe duke krijuar pasoja të rënda për Evropën.
“Unë mendoj që lufta do të zgjerohet shumë midis Evropës, Rusisë”, u shpreh ai, duke paraqitur më tej skenarë për marrëveshje të mundshme mes Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Rusisë.
Cako pretendoi se Uashingtoni mund të afrohet me Moskën dhe Pekinin në këmbim të marrëveshjeve që lidhen me Iranin dhe territoret ukrainase. Megjithatë, ai nuk paraqiti prova që të mbështesin ekzistencën e negociatave të tilla. Një nga deklaratat më të forta të tij lidhej me mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore përpara fundit të kësaj dekade.
“Unë mendoj që do të ketë luftë bërthamore deri më 2030, do të ketë goditje të fuqishme bërthamore”, deklaroi Cako.
Ai përmendi Evropën, Rusinë, Kinën, Indinë, Iranin, Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut si territore që, sipas parashikimit të tij, mund të preken nga një përshkallëzim i tillë.
“Do të ketë një shkatërrim të madh të qyteteve me anë të shkatërrimit në masë”, u shpreh ai.
Në vijim, Cako paraqiti teorinë se e ardhmja do të karakterizohet nga kufizimi i automjeteve private, shtimi i transportit publik dhe përdorimi i sistemeve digjitale për identifikimin e qytetarëve.
“Do synohet që njerëzit të mikroçipohen dhe njerëzit nuk do të kenë as emër dhe do të kenë vetëm numër. Numri i sigurimit shoqëror, ai do të jetë emri jot”, deklaroi ai.
Ai i krahasoi këto skenarë me shoqëritë distopike të përshkruara në veprat e George Orwell dhe Aldous Huxley, duke pretenduar se zhvillimet teknologjike synojnë kontrollin e popullsisë. Megjithatë, deklaratat për një plan global mikroçipimi dhe zhdukjen e identitetit personal nuk u shoqëruan me prova të verifikueshme. Në përfundim të intervistës, Cako dha edhe një këshillë për shqiptarët, duke u sugjeruar që të mos investojnë në shtëpi të dyta në bregdet, por të orientohen drejt zonave malore.
“Të gjithë ju që keni mundësi të keni një shtëpi të dytë, mos e merrni në bregdet, po merreni nëpër malet e Shqipërisë”, u shpreh ai.
Sipas Cakos, në rast të një konflikti të madh, zonat malore mund të shërbejnë si vende strehimi për popullsinë.
“Ky është shansi i shqiptarëve, mbajeni. Ndoshta nuk do ndodhin këto që them unë, po në qoftë se do të prapet lufta, ato do të bëhen streha dhe shpëtimi i racës shqiptare”, deklaroi ai.
Pjesë nga intervista:
-E nisëm me pasigurit globale e mbyllim me një pyetje të tillë. Gjithmonë e më shumë autoritete të ndryshme në kontinentin e Europës po bëjnë thirrje qytetarëve e popujve të tyre që të kujdesen, të sigurojnë një paketë mbijetese 72-orëshe. Në Shqipëri nuk është se është bërë ndonjë thirrje për këtë, po pra për çfarë po e bëjnë kaq shpesh këtë thirrje, domethënë çfarë paralajmërohet? Pse lind nevoja?
Alfred Cako: Së pari nga lufta me Iranin, gjoja Irani do presë kabllot nënujore të internetit. Këta duan t’i zhdukin këto internetin kabllor dhe duan të mbajnë internetin satelitor dhe Evropa tashmë është në luftë me Elon Musk-un dhe Evropa po kërkon që sipërfaqet qiellore që shtrihen mbi territorin e Evropës të mos kontrollohen nga satelitët e Elon Musk-ut por të jenë nën kontrollin e Evropës që Evropa të lëshojë internet me satelit. Dhe ju kam thënë që plani është që të ndalohet transporti privat, do ndalohet prodhimi i automjeteve private në këtë masë dhe në këtë madhësi siç është sot. Dora-dorës do të shtohet transporti publik dhe pak a shumë po kthehet komunizmi që ti ndoshta s’ke jetuar se je e re, po brezi im e ka jetuar dhe askush s’kishte makina private, të gjithë lëviznin vetëm me automjete shtetërore dhe ky është synimi dhe nuk do të lejohet, si në kohën e komunizmit, që ti të lëvizësh nga një shtet në shtetin tjetër.
Do synohet që njerëzit të mikroçipohen dhe njerëzit nuk do të kenë as emër dhe do të kenë vetëm numër. Numri i sigurimit shoqëror, ai do të jetë emri jot. Dhe gjithmonë kur të ndalojë policia nuk do të pyesë si e ke emrin, por do të thotë si e ke numrin dhe nëpërmjet numrit do të identifikohesh që është numri i sigurimit social. E di që të vjen për të qeshur sot, po këto i ka parashikuar i madhi George Orwell dhe sidomos Aldous Huxley te libri i vet “Brave New World”, bota e re guximshme. Ai aty e fillon pikërisht kështu, sa lindin bebet në maternitet, lindnin nja 80 binjakë dhe të gjithë kishin nga një numër në qafë me vulë i cili vendosej sapo pashoheshin dhe ky numër shoqëron gjatë gjithë jetës. Dhe gjithçka që po bëhet, siç e kam thënë, bëhet për dy qëllime: për depopullim dhe për kontroll. Kontrolli do realizohet nëpërmjet mikroçipimit dhe pasaportës digjitale.
-Domethënë mos e sigurojmë këtë paketën 72-orëshe, nuk lind nevoja në Shqipëri për shembull?
Alfred Cako: Unë u them njerëzve mos siguroni paketë 72-orëshe po siguroni paketë 6-mujore. Sepse unë mendoj që lufta do të zgjerohet shumë midis Evropës, Rusisë, ka shumë mundësi që Shtetet e Bashkuara të marrin anën e Kinës dhe Rusisë me kusht që në përplasjen me Evropën, me kusht që Kina dhe Rusia t’i lejojnë Shteteve të Bashkuara kontrollin mbi Iranin. Rusisë do t’i jepet kontrolli mbi katër zonat e prej Trump-it dhe Xi Jinping-ut katër zonat e atyre qeverive ukrainase dhe në këtë lojë Evropa do të lihet me gisht në gojë dhe më e dobëta. Por Evropa është ajo që u ka mësuar të gjithëve se si bëhen luftërat dhe rasa e bardhë është ajo që në çdo epokë ka qenë lokomotiva e botës dhe kurrë nuk do ta nënshtrojnë dot.
-Mirë, me ty gjithmonë ora ikën, ke shumë çka mund të flasësh, megjithatë unë besoj se e shteruam pjesën kryesore të ngjarjeve. Ne shpresojmë shumë që asgjë nga paralajmërimet tuaja të mos dalë sepse…
Alfred Cako: E uroj dhe unë. Po unë mendoj që do të ketë luftë bërthamore deri më 2030, do të ketë goditje të fuqishme bërthamore. Ka disa që mendojnë që arma bërthamore nuk ekziston dhe zbërthimi i atomit nuk është realizuar dot dhe është gënjeshtër ekzistenca e armëve bërthamore, por ato lloj armësh prej 10 megatonësh që goditën Hiroshimën dhe Nagasakin do të përdoren prapë për të goditur qytete të shumta në Evropë, në Rusi, në Kinë, në Indi, në Iran, në Shtetet e Bashkuara, në Korenë e Jugut. Do të ketë një shkatërrim të madh të qyteteve me anë të shkatërrimit në masë. Nuk e di çfarë janë, janë bomba bërthamore, janë bomba me hidrogjen që thithin oksigjenin 7-8 minuta në një territor të caktuar dhe të gjitha speciet ngordhin, vdesin, asgjësohen dhe nuk shkatërrohet asgjë, vetëm thithet oksigjeni dhe 7-8 minuta nuk jeton dot asgjë 7-8 minuta dhe ndërtesat ngelen aty pa njerëz me specie të vdekura.
-Larg qoftë e shpresojmë që mos të ndodhë as ky paralajmërim që sapo the. Faleminderit shumë që të kisha në studio.
Alfred Cako: Faleminderit ty. Mos u ndani maleve dhe lumenjve. Të gjithë ju që keni mundësi të keni një shtëpi të dytë mos e merrni në bregdet po merreni nëpër malet e Shqipërisë. Ky është shansi i shqiptarëve, mbajeni. Ndoshta nuk do ndodhin këto që them unë po në qoftë se do të prapet lufta ato do të bëhen streha dhe shpëtimi i racës shqiptare.
