Skip to content

“Princesha e Kodrës së Kuajve”, përplasje e fortë mes Berishës dhe Sara Milës: Të thërrasin shpirtrat e 26 të vrarëve në Gërdec dhe 4 në Bulevard

Një përplasje me replika ka ndodhur këtë të mërkurë në Kuvend mes kreut të Partisë Demokratike, Sali Bershës dhe deputetes Sara Mila. Gjithçka ka nisur gjatë fjalës së Berishës, ku iu drejtua deputetes si “Princesha e Kodrës së Kuajve”, duke e paralajmëruar që të mos bënte asnjë gjest.

Berisha: Ti, princesha e Kodrës së Kuajve, mos bëj asnjë gjest, sepse këto që them unë janë të vërteta dhe të këshilloj t’i denoncosh, se nuk mund ta nisësh kështu karrierën.

Nga ana tjetër deputetja e akuzoi Berishën se e kishte komentuar dhe përgojuar mandatin e saj që para se ajo të merrte detyrën, ndërsa theksoi se thirrjet për dorëzimin e mandatit duhet të nisin fillimisht nga vetë ai. Po ashtu Mila i kujtoi Berishës ngjarjet e rënda të së kaluarës, përfshirë Gërdecin, 21 Janarin dhe vitin 1997.

Sara Mila: E ka komentuar mandatin tim që pa ardhur unë, vazhdon ta përgojojë mandatin tim dhe në ecejaket e oborrit të SPAK-ut, që ai vetë e shan dhe nuk e konsideron. Më bëri thirrje të dorëzoja mandatin. Mirë do të ishte që këtë standard ta niste nga vetja. ‘Dorëzo mandatin’, më thotë mua, ndërkohë që e thërrasin shpirtrat e 26 të vrarëve në Gërdec, 4 në Bulevard e kush e di sa të tjerë në ’97. Meqë ke qejf ecejaket në korridoret e drejtësisë, merr informacionet e sakta, që unë nuk kam shkuar atje si person në dijeni. Unë nuk i kam dit në politikë sa mëkate ke ti.

Published inLAJMI