Tiranë, 17 nëntor 2026 – Përmes mijëra mesazheve të zbardhura në aplikacionin e enkriptuar “Sky”, Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë arritur të dokumentojnë aktivitetin e një prej kartelave më të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar të drogës,
duke identifikuar edhe figurën e Ervis Çelës, i njohur ndryshe si “Visi i Peqinit”. Një pjesë e mirë e fotove të dërguara në biseda, përfshirë portrete personale, dokumente identiteti dhe pamje të bizneseve në vend, u kthyen në çelësin kyç për zbardhjen e kodeve të përdoruesve dhe goditjen e këtij grupi kriminal, dosja e të cilit u dërgua për gjykim në nëntor 2026.
Sipas hetimeve të SPAK-ut, Ervis Çela drejtonte trafikun e kokainës nga Paraguai, ku tonet e lëndës narkotike niseshin drejt tregjeve europiane. Në dosje pasqyrohen biseda të frikshme financiare mes tij dhe familjarëve të tij, si ajo e datës 15 tetor 2020 me vëllain e tij Ardjan Çela, ku flitet për miliona euro të fituara nga droga dhe për detyrimet e larta të bashkëpunëtorëve. Në përgjimet e siguruara nga dosja penale, biseda mes vëllezërve Çela zhvillohet fjalë për fjalë si më poshtë:
“Me kismet fundjavës t’kaloj 1 M në Shqipëri… I ka pagujt krejt ky… Ka 2M plus këtej… Po çon dhe lekë në Shqipëri’.”
Në të njëjtën linjë hetimore, dosja zbulon transaksione marramendëse ku shumat e gatshme transportoheshin fshehurazi në Shqipëri, përfshirë një rast ku mbi 1 milion euro mbërritën në Peqin. Në orën 10:39:46, Albin Çela komunikon me vëllain e tij Ervis Çela, duke e njoftuar për marrjen e parave:
“…Solli 1.160 ky shoku. Ja kish dhonë në mes të rrugës… Ai çuni în TR…”.
Ndërkohë, në orën 11:08:36 të asaj dite, Franc Gergely i shkruan Ervis Çelës për ecurinë e pagesave:
“..Ça bane…?” Mëngjes… I, 150,000 € ka dorëzu ti sot. Javës që vjen me kismet 1/1.2M tjera…”.
