Ish- kreu i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi është dënuar me 1 vit burgim për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të kryer në bashkëpunim. Krahas dënimit me burg, gjykata ka vendosur edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë prej 3 vitesh.
Sipas vendimit, vuajtja e dënimit do të nisë pasi vendimi të marrë formë të prerë. Dënimi përfundimtar me 1 vit burg është dhënë në bazë të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale.
Në të njëjtën çështje janë shpallur fajtorë edhe tre të pandehur të tjerë, Dorjan Spaho, Andi Bullari dhe Ledio Xharo, të akuzuar për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim.
Dorjan Spaho është dënuar përfundimisht me 1 vit burgim dhe 2 vite ndalim të ushtrimit të funksioneve publike. Fillimisht, gjykata i kishte caktuar 1 vit e 6 muaj burg, por pas aplikimit të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, dënimi përfundimtar u ul në 1 vit.
Edhe Andi Bullari është dënuar me 1 vit burgim dhe 2 vite ndalim të ushtrimit të funksioneve publike, ndërsa Ledio Xharo me të njëjtin dënim: 1 vit burg dhe 2 vite ndalim për ushtrimin e funksioneve publike.
Sipas vendimit, edhe për tre të pandehurit e tjerë vuajtja e dënimit do të nisë pasi vendimi të marrë formë të prerë. Shpenzimet procedurale të hetimit dhe të gjykimit do të paguhen në mënyrë solidare nga të pandehurit.
Panorama.al

