Drejtori i Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja është dërguar me urgjencë në spital gjatë natës, disa orë pasi u arrestua për tjetërsim pronash. Mësohet se ai ka shfaqur probleme me zemrën.
Voja, i cili më herët ka drejtuar Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Fier është arrestuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, lidhur me tjetërsimin e rreth 44 mijë metrave katrorë tokë në zonën e Povelçës. Dyshohet se toka është kaluar nga pronë shtetërore në pronë private dhe më pas u është shitur investitorëve të një projekti fotovoltaik.

Në të njëjtën dosje është arrestuar edhe ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas, Dilaver Shyti, si dhe punonjësja e Kadastrës Fjorelo Bida dhe noterja Anila Haxhiu. Ndërsa për Arbina Jaupajn është caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”, së bashku me ndalimin e daljes jashtë vendit. Hetimi lidhet me mënyrën e kalimit të pronës shtetërore në pronësi private dhe rolin e personave që dyshohet se kanë marrë pjesë në këtë proces.
