# “Blackout” global më 17 nëntor? A do të mbetet bota pa energji, internet dhe shërbime bankare?
Një pretendim alarmues po qarkullon në rrjetet sociale, sipas të cilit më 17 nëntor 2026 bota mund të përballet me një ndërprerje masive të energjisë elektrike, internetit dhe shërbimeve bankare. Disa publikime shkojnë edhe më tej, duke paralajmëruar një sulm të madh kibernetik dhe ndërprerje të komunikimeve për një periudhë të gjatë.
Por, a ka arsye për shqetësim?
Sipas verifikimeve të publikuara nga disa platforma të kontrollit të fakteve dhe mediave ndërkombëtare, deri më tani nuk ka prova teknike apo njoftime zyrtare që mbështesin pretendimin për një blackout global më 17 nëntor. Qendra për Kundërvënien ndaj Dezinformimit e Ukrainës e ka cilësuar këtë informacion si të pavërtetuar, duke theksuar se nuk ekzistojnë dëshmi për një sulm të planifikuar që do të ndërpriste internetin në mbarë botën apo do të fshinte llogaritë bankare.
Një nga arsyet që ka nxitur përhapjen e këtij lajmi është një test i sistemit amerikan të alarmit emergjent, i planifikuar për 17 nëntor. Ky është një test rutinë i transmetimit të njoftimeve përmes radios dhe televizionit dhe nuk nënkupton ndërprerjen e energjisë elektrike, internetit apo shërbimeve bankare.
Gjithashtu, në rrjetet sociale janë shpërndarë rekomandime për mbajtjen e rezervave të ujit, ushqimeve dhe produkteve bazë për raste emergjencash. Megjithatë, këto këshilla janë pjesë e përgatitjeve të zakonshme për situata të paparashikuara dhe nuk përbëjnë paralajmërim për një katastrofë të caktuar në këtë datë.
Ekspertët e verifikimit të informacionit theksojnë se ndërprerjet lokale të energjisë dhe sulmet kibernetike janë rreziqe reale, por kjo nuk do të thotë se ekziston një kërcënim i konfirmuar për një kolaps global.
Për momentin, pretendimi se më 17 nëntor e gjithë bota do të mbetet pa drita, ujë, internet dhe banka nuk mbështetet nga prova të besueshme. Prandaj, qytetarët këshillohen të mos bien pre e panikut dhe të mbështeten te njoftimet e institucioneve zyrtare.
