Një aksident i rëndë me pasoja tragjike ka ndodhur në autostradën “Trakia” në Bullgari ku dy përplasje masive kanë shkaktuar 12 viktima dhe 46 të plagosur.
Sipas ministres së Shëndetësisë, Katia Ivkova, 10 persona humbën jetën në vendngjarje, ndërsa dy të tjerë ndërruan jetë më vonë në spital, si pasojë e plagëve të marra.
Në aksidentet zinxhir janë përfshirë më shumë se 70 automjete, mes tyre makina dhe kamionë. Përplasjet kanë detyruar autoritetet të ndërpresin qarkullimin në të dyja drejtimet e autostradës.
Sipas autoriteteve bullgare, shkaku më i mundshëm i aksidentit dyshohet të ketë qenë mjegulla e dendur, e cila është krijuar papritur dhe ka kufizuar ndjeshëm shikueshmërinë e drejtuesve të automjeteve.
Sekretari i Përgjithshëm në detyrë i Ministrisë së Brendshme, Lyubomir Nikolov, bëri të ditur se përplasja e parë ndodhi në drejtim të qytetit të Burgasit, kur një kamion bllokoi rrugën përpara një autobusi pasagjerësh.
Më pas, pas autobusit ndodhi një tjetër përplasje, ku u përfshi një kamion që transportonte grurë, ndërsa një automjet tjetër u përplas me pjesën e pasme të tij.
Një tjetër aksident zinxhir u regjistrua edhe në korsinë e kundërt, në drejtim të Sofjes. Megjithatë, të 12 viktimat ndodheshin në automjete që lëviznin në drejtim të Burgasit.
Ndërpritet vizita e Ursula von der Leyen në Bullgari Tragjedia ndodhi në një kohë kur në Bullgari ndodhej për vizitë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Presidenti bullgar Rumen Radev e cilësoi ngjarjen një tragjedi dhe bëri të ditur se kishte urdhëruar përdorimin e mjeteve ajrore për transportimin e të plagosurve. Ai gjithashtu njoftoi se kishte në plan të vizitonte vendin e aksidentit. Nga ana e saj, Ursula von der Leyen deklaroi se do të ndërpriste vizitën e saj në vend. “Dua të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe respektin për ekipet e shpëtimit”, u shpreh ajo. Ndërkohë, autoritetet bullgare bëjnë me dije se disa persona kanë mbetur ende të bllokuar brenda automjeteve të dëmtuara.

